Lajme

Limaj: Me Zafir Berishën, Prizrenit do t’i kthehet identiteti

By

on

Të dielën, në orët e mbrëmjes, NISMA për Kosovën – Dega në Prizren ka mbajtur debat publik me qytetarët e lagjes “Tusuz”. Në këtë debat është biseduar për situatën e përgjithshme politike në vend, rreth qëndrimeve të NISMA-s lidhur me demarkacionin, asociacionin, bërjen e shtetit të Kosovës me ushtri, duke u fokusuar edhe në situatën në të cilën gjendet Prizreni. Të pranishëm ishin kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, deputetja Valdete Bajrami, deputeti dhe njëherësh kryetari i Degës në Prizren, Zafir Berisha dhe sekretari i përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi.

Lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, para të pranishmëve në lagjen “Tusuz”, kërkoi nga të gjithë mbështetje për Zafir Berishën si kandidat për kryetar të Prizrenit, duke qenë i bindur se qytetit të Prizrenit do t’i kthehet identiteti si qytet i kulturës dhe traditës.

“’Tusuzi’ dhe Prizreni kanë ditur vazhdimisht të rreshtohen pro ndryshimeve edhe në të kaluarën dhe jemi të bindur se duke u rreshtuar pas orientimit socialdemokrat të NISMA-s, qytetarët nuk do të zhgënjehen”, tha Limaj.

Kryetari i Degës dhe njëherësh kandidat për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka ftuar shokët, miqtë dhe bashkëluftëtarët që të bëhen bashkë.

“Garantoi fuqishëm dhe me vendosmëri, se mbi të kaluarën tonë të lavdishme, do të punojmë për qytetin e Prizrenit dhe Kosovën në përgjithësi, duke i bërë të gjithë të ndjehen krenar, si dhe duke i luftuar njerëzit e papërgjegjshëm që po keqpërdorin institucionet për përfitime personale, duke dëmtuar perspektiven evropiane të shtetit tonë”, tha Berisha.

Recommended for you