Lajme

Limaj në Rahovec: Mbështetni ata që kanë dalë nga prehëri i dëshmorëve

on

 

Kreu i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Rahovecit që të mos mbështesin ata që sipas tij kanë dalë nga prehri i UDB-së, por t’i mbështesin ata që kanë dalë nga prehri i dëshmorëve.

Limaj u tha banorëve të Rahovecit që të kenë kujdes se kënd do ta votojnë.”Mos i mbështetni ata që kana dalë prej prehrit të UDB-së, mbështetni ata qe kanë dalë nga prehri i dëshmorëve. Për besë çka jemi duke parë ne nuk është mirë me qitë votën e mbas gjashtë muajve mi mshua kokës. Kështu ka me ndodh, ju ka ndodhur juve Rahovecit shpesh.  Por, kujdes, kujdes me ata që vijnë këtu dhe nuk e dini si kanë ardhur deri këtu ata. Me u qu dhe me ardh në këtë sallë e me fol ata për atdheun, për patriotizmin, për Kosovën, për sakrificën para njerëzve këtu të Rahovecit që e dini mirë çka keni kaluar ju është fyerje, është ofendim me ardh këtu e me ju tregua banorëve të Rahovecit çka është patriotizmi”, tha Limaj.

I pari i Nismës u shpreh i bindur se Rahovecit i kanë ofruar një kandidat të mirë, ku ai tha se Besnik Hoti nuk është kandidat vetëm për Rahovecin, por për gjithë Kosovën. Limaj u premtoj qytetarëve të Rahovecit se frytet e premtimeve të tij do ti shohin në qershor.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Besnik Hoti, tha se në momentin që e ka pranuar kandidaturën për kryetar ka marrë përgjegjësinë të jetë zëri i qytetarëve të Rahovecit dhe të jetë mundësia që Rahoveci të mos konsiderohet më peng i politikave të së shkuarës. Hoti tha se Rahoveci konsiderohet një nga komunat më të çmuara për Kosovën, baza kryesore e furnizimit bujqësor, por që nuk është bërë shumë për këtë komune. Ai premtoi se me të marrë mandatin problemet në bujqësi, infrastrukturë, përkujdesje sociale do të zgjidhen.

“NISMA për Kosovën dhe unë zotohem përpara jush se do të jem në lartësinë e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë politike në zgjedhjen e këtyre problemeve. Bujqësia ka nevojë për më tepër vëmendje, deri më sot subvencionet kanë qenë në nivelin minimal për këtë vend të bekuar me njerëz tepër punëtor, por të harruar në Kosovë. Produktet e prodhuara bujqësore në shumicën e rasteve mbesin në stok dhe fermeri mbetet nën mëshirën e fatit. Nuk ka një politik të mirëfilltë të tregtimit të produkteve bujqësore. Si kryetar i ardhshëm zotohem për më tepër subvencione për fermerët, krijimin e një tregu të përshtatshëm për produktet bujqësore, krijimin e eksporteve dhe rritjen e vëllimit bujqësor duke dyfishuar fondet”, tha ai.

Poashtu, kandidati i NISMA’s për kryetar të Rahovecit, Besnik Hoti, premtoi krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për fëmijë, ndërtimin e çerdheve, digjitalizimin e bibliotekave të komunës si dhe renovimin e shkollave.

Recommended for you