Parimet

PARIMET THEMELORE

Hyrje

Rruga e popullit shqiptar të Kosovës deri te liria, pavarësia e demokracia ishte e gjatë dhe e vështirë. Fatkeqësisht, në kohën kur u shpërbë Perandoria Otomane dhe lindi shpresa e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 nuk u përfill nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Për të joshur ambiciet grabitqare të shteteve fqinje, Kosova dhe vise të shumta shqiptare u ndanë si plaçkë në tregun diplomatik.
U desh të kalojnë mbi nëntë dekada përplot dhunë, vuajtje, sakrifica, por dhe krenari që lufta çlirimtare e popullit të Kosovës të mobilizojë qarqet vendimmarrëse të skenës politike ndërkombëtare për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit serb në Kosovë. Vlerat themelore të Lirisë, Drejtësisë dhe Solidaritetit mbi të cilat mbështeten demokracitë perëndimore qëndrojnë në themelet e arsyeve që i bëri shtetet më të fuqishme euroatlantike të angazhohen në favor të lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit me shqiptarët e Kosovës.
Tërheqja e forcave të okupatorit serb nga Kosova në qershor të vitit 1999 ngjalli shpresa të mëdha se koha e diktaturave kishte përfunduar.
Kosova doli nga një luftë me pasoja shumë të mëdha: mbi 13 000 persona të vrarë, mijëra të zhdukur, dhjetëra mijëra femra të dhunuara, ekonomi të plaçkitura dhe mbi 120 mijë shtëpi të rrënuara. Periudha e parë e pasluftës u karakterizua me solidaritet të paparë në mes të shqiptarëve dhe përkrahje të madhe ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të luftës.
Kjo periudhë përfundoi më 17 shkurt 2008, ditën kur përfaqësuesit legjitimë të popullit të Kosovës shpallën pavarësinë.
Kjo ngjarje historike krijoi edhe premisat që konkurrenca politike të marrë kuptimin e plotë edhe në Kosovë. Në Deklaratën programore të datës 28 shkurt 2014 qytetarët e Kosovës dhe opinioni publik u njoftuan me arsyet e themelimit të forcës së re politike: NISMA PËR KOSOVËN.

Vlerat tona themelore:

Liria, Drejtësia, Solidariteti

Duke parë vështirësitë e mëdha me të cilat përballet populli i Kosovës dhe nevojës që problemeve të qytetarëve të saj t’u jepet një përgjigje pozitive, NISMA, si parti politike, rreshtohet në spektrin e forcave të orientimit socialdemokrat, sepse ne besojmë se vetëm në frymën e socialdemokracisë perëndimore mund të forcohet solidariteti qytetar për një drejtësi sociale, si rrugë e vetme që mundëson progresin dhe zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë.
Duke u rreshtuar në këtë frymë politike, rrjedhimisht Liria, Drejtësia dhe Solidariteti, si vlera të barabarta dhe komplementare të njëra-tjetrës, shndërrohen në vlerat themelore të pandashme edhe të partisë sonë. Rreshtimi në këto vlera është në përputhje të plotë me bindjet tona se vetëm mbi bazën e këtyre vlerave mund të krijohet uniteti i shoqërisë sonë, aq i nevojshëm për këtë periudhë të vështirë që po kalojmë. Kthimi i dinjitetit të nëpërkëmbur të qytetarëve tanë është pika nismëtare dhe një nga qëllimet tona politike. NISMA beson në Kosovën e lirë, në shtetin e pavarur, sovran e demokratik, aty ku njeriu ynë e ka shpresën dhe besimin për një jetë me dinjitet dhe të ardhmen e tij të sigurt. Në atdheun tonë askush nuk guxon të ndjehet i tepërt apo i huaj për shkak të gjinisë, moshës, etnisë, fesë, krahinës, apo bindjeve politike a ideologjike. Atdheu ynë sot më shumë se kurrë duhet të jetë i hapur si ndaj burrave ashtu dhe grave, si për pleq ashtu edhe për fëmijë, si ndaj shqiptarëve ashtu edhe ndaj komuniteteve pakicë. Kosova sot duhet t’u ofrojë shanse e mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa përjashtim.

Sfidat

Aspirata për t’u integruar në strukturat euroatlantike është aspiratë politike e popullit të Kosovës. Të vetëdijshëm se integrimi në këto struktura bëhet përmes mishërimit me vlerat mbi të cilat mbështeten këto struktura, Nisma do t’i kushtojë një vëmendje të posaçme mënjanimit të pasojave të funksionimit të deritashëm të institucioneve politike, ekonomike dhe kulturore të shtetit tonë. Sigurimi i funksionimit të lirë të tregut, drejtësia në sundimin e ligjit dhe solidariteti me shtresat më të dëmtuara të shoqërisë sonë janë shtyllat orientuese emergjente tonat. Ne duhet ta shohim realitetin e hidhur me të cilin po përballet një pjesë e madhe e shoqërisë sonë. Fatkeqësisht, varfëria është e pranishme dhe në përmasa shumë të mëdha.
NISMA për Kosovën synon të ndërtojë një solidaritet të ri në mes qytetarëve tanë, solidaritet i mishëruar në një kontratë të re sociale ku çdo e drejtë e njeriut tonë është një përgjegjësi e një numri shumë herë më të madh të bashkëqytetarëve tanë, sesa numri i anëtarëve të Nismës. Kauza politike e Kosovës për ndërtimin e shtetit të së drejtës është jetike për qytetarët tanë. Për këtë arsye Nisma do të përqendrojë aktivitetin e vet politik që së bashku me qytetarët e Kosovës të realizojmë këtë kauzë për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Një Kosove sociale dhe demokratike Sot, edhe 17 vjet pas çlirimit, hendeku i madh social vazhdon të rritet. Në këtë kontekst, për të ngushtuar hendekun e madh social, Kosova ka nevojë për një socialdemokraci të modelit perëndimor, ku secili qytetar do të ketë trajtim të barabartë, shanse të njëjta dhe përkujdesje institucionale në të gjitha sferat jetike: në shëndetësi, në arsim, në ekonomi, në punësim, në raport me ligjin dhe të gjitha fushat ku e drejta e tij për trajtim dinjitoz do të garantohet me ligj. Për shkak të aspiratës së saj që të krijojë një Kosovë evropiane, NISMA Socialdemokrate ka për qëllim të krijojë një hapësirë të re për bashkimin e të gjithë atyre që angazhohen për eliminimin e padrejtësive në shoqërinë tonë. Të gjithë ata që nuk pajtohen me varfërinë, papunësinë, trajtimin e pabarabartë para ligjit, mungesën e perspektivës, mungesën e sigurisë dhe që dëshirojnë të mobilizojnë energjitë për krijimin e Kosovës evropiane duhet t’i bashkojnë forcat në NISMËN Socialdemokrate.

Shoqëria civile solidare dhe shteti demokratik

Krahas domosdoshmërisë së rirreshtimit të forcave që në shpirt kanë vlerat e Lirisë, Drejtësisë dhe Solidaritetit NISMA për Kosovën do të sensibilizojë qytetarët e Kosovës për domosdoshmërinë e angazhimit të tyre të gjithanshëm. Nxitja e debatit të përgjithshëm shoqëror do t’i jepte kuptimin e plotë aspiratës për të pasur një funksionim shoqëror ku krijimi i mendimit bëhet lirshëm, ku lira e shprehjes së mendimit është e garantuar me ligje dhe shpërndarja e mendimit është e papengueshme.
Kjo dinamikë e funksionimit të shoqërisë do të krijonte në mënyrë të pashmangshme solidaritetin me shtresat më të rrezikuara. Nuk ka begati shoqërore kur jemi të vetëdijshëm se një numër shumë i madh i familjeve kosovare jetojnë në varfëri të skajshme.
Shteti demokratik është hapësira ku përgjegjësitë individuale dhe kolektive harmonizohen në atë mënyrë ku ruhet interesi i secilit anëtar dhe i shoqërisë në përgjithësi. Në kuadër të kësaj hapësire, demokracia sociale jep kontributin e madh që kjo formë shtetërore të forcohet në interes të përgjithshëm. NISMA Socialdemokrate është e vetëdijshme se një shtet i dobët, me administratë të korruptuar dhe me kapje të segmenteve vitale të saja nga grupe të ndryshme politike e ekonomike, nuk është shtet i së drejtës, nuk është shtet ku respektohet dinjiteti njerëzor. Për këtë arsye, partia jonë angazhohet me tërë potencialin e vet që Kosova të ndërtohet si shtet i mirëfilltë i demokracisë sociale dhe solidaritetit të shoqërisë së saj.
Ky solidaritet duhet të shtrihet në të gjitha poret e jetës shoqërore, që nga niveli qendror e deri te ai lokal. Prandaj, NISMA Socialdemokrate do t’i kushtojë rëndësi të veçantë forcimit të pushtetit në nivel lokal, sepse në këtë nivel kontakti i qytetarit me pushtetin është më i drejtpërdrejtë. Funksionimi socialdemokrat i komunave tona do t’u jepte mundësi të gjithë qytetarëve që të jenë aktivë në politikat sociale, ekonomike dhe kulturore dhe në këtë rast do t’i bënte bashkëpërgjegjës për mbarëvajtjen e projekteve jetike për shoqërinë. Vizioni dhe misioni ynë – shteti me demokraci dhe ekonomi sociale të tregut Programi i Nismës Socialdemokrate është një libër i hapur që kërkon të plotësohet çdo ditë e çdo orë nga ekspertët dhe shkencëtarët e rinj të Kosovës së pavarur. Ne po e nisim një rrugë te re për Kosovën, por, qytetarët janë ata që do ta vulosin fatin tonë të përbashkët. NISMA beson se do të lindin shpresa të reja për njeriun tonë nga leximi i këtyre rreshtave që po i nënvizojmë në Programin e NISMËS Socialdemokrate për Kosovën. Vizioni ynë është: Kosova shtet i së drejtës, shtet i dijes, shtet i zhvilluar, shtet i drejtësisë sociale dhe shtet i integruar në BE. Misioni ynë është: Bërja e Kosovës shtet me demokraci të zhvilluar, shtet me ekonomi të zhvilluar, shtet me shanse të mëdha për qytetarët e saj. Kjo do ta kthente besimin e qytetarëve tanë për një jetë më të dinjitetshme në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike. Rruga jonë është: Duke u angazhuar konkretisht për më shumë Liri, Drejtësi dhe Solidaritet në Kosovë, NISMA Socialdemokrate rreshtohet përkrah forcave socialdemokrate të demokracive perëndimore për një botë më të lirë, më të drejtë dhe më solidare. Në këtë aspekt NISMA do të funksionojë në përputhje me vlerat dhe parimet e socialdemokracive perëndimore dhe shpreson që në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e kësaj socialdemokracie. Fuqia jonë mbështetet: në bashkimin tonë demokratik për Kosovën përreth Nismës Socialdemokrate, në njerëzit tanë të rinj e të mençur, në vendosmërinë tonë për të ndryshuar gjendjen e mjerueshme dhe krijimin e një realiteti të ri ku begatitë tona tokësore e nëntokësore do të shfrytëzohen në interes të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë pas nesh.

Shoqëria civile solidare dhe shteti demokratik

Prandaj, qytetarë të Kosovës,
Ju që përjetoni përbuzjen në vendin tuaj,
Ju që jetoni në varfëri në Kosovën e begatshme,
Ju, të cilëve u nëpërkëmbet dinjiteti,
Ju që jeni të papunë e në mjerim,
Ju që punoni e keni paga të mjerueshme,
Ju që keni bindjen se duhet vepruar ndryshe për të krijuar Kosovën evropiane,
Ju që keni në shpirt Lirinë, Drejtësinë dhe Solidaritetin,
Bashkohuni me NISMA-në SOCIALDEMOKRATE të Kosovës për të krijuar një Kosovë të Lirë, të Drejtë dhe Solidare.
Prishtinë, 25.06.2016

Fatmir LIMAJ – Kryetar