Statuti

S T A T U T I

Neni 1
Emri

1. NISMA për Kosovën është parti politike me orientim ideor Socialdemokrat. NISMA
është bashkim vullnetar i qytetarëve të Kosovës mbi bazën e ideve, të bindjeve, të
pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike, të cilët kanë qëllim të ndikojnë në
jetën e vendit dhe të publikut nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të
popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.
2. Emri i plotë i partisë është NISMA për Kosovën, akronimi NISMA (e cila përdoret si
simbol, flamur, e njëjta përdoret në vulën dhe në të gjithë dokumentet zyrtare për
identifikim).

Neni 2
Selia e NISMA-së

1. Selia qendrore e NISMA-së është në Prishtinë.

Neni 3
Simboli

1. NISMA për Kosovën e ka simbolin e saj “NISMA” e cila është e shkruar në fushën e
portokalltë, brenda një katërkëndëshi me sfond të bardhë, me shkronja të portokallta
dhe simboli i saj “NISMA” i shkruar në fushën e bardhë, brenda një katërkëndëshi me
sfond të portokalltë me shkronja të bardha. Ndërsa nën NISMA shënohet, “për
Kosovën” me vizë nën të.

Neni 4
Vula

1. NISMA ka vulën e rrumbullakët me emrin – NISMA-së në qendër.

Neni 5
Dokumentet Bazë

1. Dokumentet bazë mbi të cilat bazohet organizimi dhe funksionimi NISMA-së për
Kosovën janë Programi dhe Statuti.
2. Programi dhe Statuti janë dokumente të hapura për ndryshime dhe përmirësime, sa
herë që këtë e kërkojnë zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore.

Neni 6
Parimet Kryesore

1. NISMA për Kosovën është krijuar, organizuar dhe funksionon mbi bazën e disa
parimeve kryesore të cilat janë:
a) Vullnetarizmi për t’u anëtarësuar në NISMA, për të pranuar programin dhe
statutin e saj si dhe të gjitha detyrimet që burojnë prej tyre.
b) Garantimi dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes të çdo anëtari të NISMA-së, për
çdo problem që ka të bëjë me organizimin, funksionimin dhe gjithë
veprimtarinë politike dhe organizative të NISMA-së, për rolin dhe
performancën e përfaqësuesve dhe te të zgjedhurve të saj, për dokumentet
themelore dhe çështje të tjera me interes kombëtar.
c) Demokracia e brendshme e partisë, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u
zgjedhur në të gjitha forumet e NISMA-së.
d) Si bazë për avancimin kadrovik të çdo anëtari të NISMA-së do të jetë
angazhimi dhe kontributi i tij meritor.
e) Kolegjialiteti dhe transparenca në vendimmarrjen dhe në drejtimin e çdo
forumi të NISMA-së.
f) Solidariteti në mes anëtarëve të NISMA-së do të jetë një parim tjetër bazë në
jetën politike.
g) NISMA në aspektin ideor është parti e qendrës së majtë, Socialdemokrate.
h) NISMA anëtarësohet edhe në asociacione dhe në organizma të tjera politike
ndërkombëtare, që kanë synime dhe orientime të ngjashme politike dhe
programore.
i) Zgjedhja e kryetarit me votim të fshehtë dhe me kandidatura alternative mbi
bazë të parimit: ’’një anëtar – një votë’’.

Neni 7
Anëtarësimi

1. Anëtar i NISMA-së mund të jetë çdo shtetas i Kosovës, pa dallim race, kombësie, feje,
gjinie, gjendje ekonomike dhe përkatësie shoqërore, i cili:
a. ka mbushur moshën 18 vjeç dhe ka të drejtë vote në Kosovë;
b. nuk është anëtar i ndonjë partie tjetër politike;
c. pranon me vullnet të lirë statutin dhe programin e NISMA-së dhe kontribuon
në zbatimin dhe realizimin e tyre;
2. Anëtar i NISMA për Kosovën mund të jetë çdo qytetar i Kosovës që ka mbushur
moshën 18 vjeç dhe i cili punon në bazë të këtij Statuti dhe e pranon Programin e
NISMA-së;
3. Vendimin për pranimin në NISMA të kërkuesit e merr kryesia e degës përkatësisht
nëndegës përkatëse të NISMA-së.
4. Shtetasi i Kosovës që jeton jashtë territorit të Republikës së Kosovës, që ka dëshirën
dhe plotëson kushtet për t’u anëtarësuar në NISMA, duhet të paraqesë kërkesën për
anëtarësim pranë Kryesisë së NISMA-së në vendin ku jeton.
Në rastet kur NISMA nuk ka struktura në shtetin ku jeton, shtetasi i Kosovës që
dëshiron të anëtarësohet në NISMA, i drejtohet me një kërkesë Kryesisë së NISMAsë
së degës më të afërt.
5. Anëtarëve të NISMA-së, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, u
garantohet përfaqësimi në Kuvendin zgjedhor të NISMA-së. Mënyra e përfaqësimit
në Kuvendin zgjedhor dhe e zhvillimit të jetës politike përcaktohet me vendim të
Këshillit Kombëtar si organ më i lartë i NISMA-së.
6. Anëtari i NISMA-së, i cili për arsye personale është i detyruar të largohet nga
territori i degës paraprake apo nga territori i Republikës së Kosovës, mund të ruajë
anëtarësinë duke njoftuar me shkrim degën përkatëse për adresën e tij të re, si dhe
të shprehë angazhimin për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky statut.
7. Anëtari i NISMA-së ka për detyrë:
a) të bëjë jetë politike aktive në NISMA për Kosovën;
b) të paguajë rregullisht anëtarësisë (me përjashtim rastet sociale);
c) të marrë pjesë në zgjedhjet në NISMA duke votuar për kandidatin që dëshiron, si
dhe në zgjedhjet komunale dhe të përgjithshme duke votuar për kandidatët e
NISMA-së apo për kandidatët që ajo mbështet;
d) të mos kandidojë si i pavarur apo nën siglën e një force tjetër politike, në
zgjedhjet komunale, në zgjedhjet e përgjithshme apo për pozicione publike, ku
një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave është ai i përfaqësimit politik;
g) të respektojë disiplinën e partisë dhe të kontribuojë në forcimin e saj;
h) të pranojë vendimet e shumicës e të respektojë mendimin ndryshe;
i) të punojë për rritjen e ndikimit të NISMA-së në komunitetin përkatës;
j) të përpiqet të shtojë radhët e NISMA-së;
k) të mos përfshihet në veprimtari apo sjellje të cilat janë komprometuese për
moralin shoqëror dhe cenojnë imazhin e NISMA-së;
8. Anëtari i NISMA-së ka të drejtë:
a) të zgjedhë dhe të zgjidhet në forumet drejtuese të NISMA-së.
b) të marrë pjesë dhe të japë kontributin e tij në hartimin dhe zbatimin e
qëndrimeve dhe politikave të NISMA-së, programit dhe statutit të saj;
c) të informohet për aktivitetin e strukturave të NISMA-së dhe të shprehë
qëndrimin e tij për to;
d) të propozojë dhe të propozohet si kandidat i NISMA-së për zgjedhjet komunale
dhe po ashtu për zgjedhjet qendrore, si dhe në të gjithë organizmat ku kërkohet
përfaqësimi NISMA-së;
e) të jetë i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të NISMA-së, pavarësisht nga
funksionet që mbulon në NISMA apo gjetkë, e pavarësisht nga gjendja
ekonomike, përkatësia shoqërore apo niveli arsimor;
f) të largohet nga NISMA kur të dëshirojë duke bërë një njoftim me shkrim pranë
degës apo nëndegës ku bën pjesë, pa qenë i detyruar të japë shpjegime.

Neni 8
Masat Disiplinore

1. Çdo anëtar që vepron në kundërshtim me Statutin, Programin dhe vendimet e
forumeve të NISMA-së u nënshtrohet marrjes së masave disiplinore.
2. Rregulla të hollësishme për dhënien e masave disiplinore përcaktohen nga Këshilli
Kombëtar.
3. Procedurën për dhënien e masës disiplinore anëtarit të NISMA-së e fillon organi i
cili ka konstatuar shkeljen.
4. Kërkesa për dhënien e masës disiplinore në rastin e anëtarit të NISMA-së pranë
degës ku e zhvillon ai anëtar aktivitetin, i drejtohet Këshillit të Degës.
5. Kërkesa për dhënien e masës disiplinore për funksionarët e NISMA-së, të zgjedhur
apo të emëruar nga organet drejtuese të NISMA-së, i drejtohet Këshillit Kombëtar.
6. Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm mbi shkeljen e konstatuar
si dhe masën disiplinore të propozuar.
7. Marrja e vendimeve dhe ankimimi i tyre bëhet në përputhje me parashikimet e këtij
Statuti dhe të vendimeve të Këshillit Kombëtar.

Neni 9
Organizimi i NISMA-së për Kosovën

1. NISMA është parti politike me organizim vertikal nga baza, komuna deri te niveli
qendror, e cila në themel të organizimit të saj ka demokracinë e brendshme, lirinë e
shprehjes dhe besimit, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
2. Në përputhje me këtë statut NISMA për Kosovën e ushtron aktivitetin e saj në të gjithë
territorin e vendit dhe jashtë vendit, ku ka struktura të ngritura dhe që veprojnë në
respekt të plotë të ligjeve të shtetit ku kryen veprimtarinë e vet.
3. NISMA është organizuar në tri nivele: në nivelin e Nëndegës (fshat, lagje qyteti), në nivel
të Degës (Komuna) dhe në nivelin Qendror.
4. Në nivel Komunal NISMA ka këtë organizim:
a) Nëndega (Këshilli, Kryesia dhe Kryetari i nëndegës).
b) Dega (Kuvendi, Këshilli i Degës, Kryesia dhe Kryetari).
5. Në nivel Qendror NISMA ka këtë organizim:
a) Kuvendi,
b) Këshilli Kombëtar,
c) Kryetari i Këshillit Kombëtar,
d) Kryesia e zgjeruar,
e) Kryesia
f) Kryetari i NISMA-së për Kosovën,
6. Në kuadër të NISMA për Kosovën në tri nivelet e saja të organizimit funksionon
edhe organizata e NISMA e Gruas për Kosovën dhe NISMA e Rinisë për Kosovën,
a) Organizimi i brendshëm i tyre rregullohet me rregullore të veçanta të tyre.

Neni 10
Organizimi i NISMA-së në Nivel Komunal – Nëndega

1. Njësia bazë e organizimit të NISMA-së është Nëndega.
2. Nëndega formohet nga të paktën 5 anëtarë të NISMA-së.
3. Kryesia e nëndegës i zhvillon mbledhjet e saja të rregullta (së paku njëherë në muaj)
dhe sipas nevojës dhe kërkesave të kryesisë së degës. Mbledhja thirret nga Kryetari i
Nëndegës ose nga 1/3 e anëtarëve të kryesisë.
4. Gjatë periudhës së fushatave për zgjedhjet në parti, zgjedhjeve lokale apo zgjedhjet e
përgjithshme, kryesia e nëndegës shndërrohet: nën-shtab zgjedhor.
5. Nëndega gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj politik:
a) shpalos politikën dhe qëndrimet e NISMA-së, në përputhje me Programin,
Statutin dhe vendimet e forumeve drejtuese të NISMA-së;
b) zgjedhë kandidatët e saj për në Këshillin e Degës;
c) punon për shtimin e radhëve të NISMA-së;
d) përpiqet të zgjerojë ndikimin e NISMA-së në shtresat e ndryshme të popullsisë
në njësinë territoriale për të cilën ajo përgjigjet dhe respekton mendimin e çdo
shtetasi, anëtar apo jo i NISMA-së.
e) mban lidhje me organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër
shoqëror apo individë (që veprojnë në territorin e nëndegës), në përputhje me
parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të NISMA-së;
f) organizon dhe administron fushatat zgjedhore për zgjedhjet në parti, zgjedhjet
lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme (në territorin e nëndegës), në përputhje me
kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve të NISMA-së;

Neni 11
Kryetari i Nëndegës

1. Për mbarëvajtjen e punëve të përditshme, zgjidhet Kryetari i Nëndegës. Kryetari i
Nëndegës zgjidhet për një periudhë katër vjeçare nga anëtarët e kryesisë pranë asaj
Nëndege dhe me kandidaturë eventuale alternative.
2. Kryetari i Nëndegës ka për detyrë të:
a) organizon veprimtarinë e NISMA-së në territorin administrativ të Nëndegës;
b) thërret mbledhjet e Nëndegës;
c) njofton me shkrim dhe me gojë Kryetarin dhe kryesinë e Degës për çdo mbledhje
apo aktivitet të nëndegës;
d) nënshkruan të gjitha vendimet e marra nga nëndega;
e) harton e administron listën e anëtarëve të NISMA-së pranë nëndegës;
f) harton listën e përkrahësve të NISMA-së pranë nëndegës;
g) drejton fushatat zgjedhore të NISMA-së në nivel nëndege, në rastet e Zgjedhjeve
të Përgjithshme, Lokale apo në strukturat e NISMA-së;
h) mbledh dhe dorëzon në Kryesinë e degës së NISMA-së (pagesat e anëtarësisë së
nëndegës ).

Neni 12
Kuvendi i Degës

1. Kuvendi i degës përbëhet nga delegatët e zgjedhur nga nëndegët.
2. Kuvendi i degës mblidhet një herë në 4 vite.
3. Kuvendi i degës mund të thirret:
a) me vendim të Këshillit të degës së NISMA-së.
b) me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të saj në degë.
c) me kërkesë të Kryesisë qendrore të NISMA-së.
4. Kuvendi i Degës zgjedh: Këshillin e degës dhe delegatet për Kuvendin qendror të
NISMA-së.

Neni 13
Këshilli i Degës

1. Këshilli i Degës është organi më i lartë i NISMA-së në nivel të Degës.
2. Këshilli i Degës përbëhet nga anëtarët e zgjedhur në kuvend.
3. Kriteret për zgjedhjen në këshillin e degës janë: kriteri i përfaqësimit, gjendja
organizative në nëndegë, numri i banorëve në nëndegë, numri i votave të fituara nga
zgjedhjet e fundit në atë nëndegë.
4. Sipas kriterit të përfaqësimit anëtarë të Këshillit të Degës janë të gjithë kryetarët e
nëndegëve, deputetët e parlamentit nga komuna përkatëse, të zgjedhurit në asamble
komunale, të emëruarit në organet e qeverisjes komunale, kryetarja e gruas në degë
dhe kryetari i rinisë në degë.
5. Pjesa e mbetur e anëtarëve (deri në plotësim të numrit) propozohen nga Kuvendi i
Degës, të cilët pastaj votohen dhe zgjidhen nga Kuvendi i Degës.
6. Këshilli i degës ka për detyrë:
a) Zgjedh kryetarin e degës,
b) Zgjedh kryesinë e degës,
c) miraton kandidatët e NISMA-së për këshilltarë në asambletë komunale dhe
kandidatët për organet e qeverisjes komunale;
d) miraton planin vjetor të veprimit politik dhe elektoral të propozuar nga Këshilli
Kombëtar i NISMA-së;
e) koordinon veprimtarinë e NISMA-së në të gjitha fushat: politike, ekonomike e
shoqërore;
f) në mbledhjen e parë pas konstituimit, këshilli i degës zgjedhë kryesinë;
g) Këshilli i degës mbanë mbledhjet e rregullta (së paku njëherë në 3 muaj), mbledhja e
këshillit thirret me vendim të Kryesisë së NISMA-së në Degë,
h) Mbledhja e këshillit po ashtu mund të thirret dhe me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të
këshillit ose sipas nevojës dhe me kërkesë të Kryesisë së NISMA-së.

Neni 14
Kryesia e Degës

1. Kryesia e degës përbëhet nga (së paku 11anëtarë me mundësi zgjerimi sipas specifikave
të komunave) që zgjidhen nga Këshilli i Degës.
2. Kryetari i degës bënë propozimin për anëtar të kryesisë, po ashtu të njëjtin numër
propozon edhe Këshilli i degës, pastaj me votim zgjidhen anëtarët.
3. Kryesia e degës së NISMA-së, mban mbledhje të rregullta javore.
a) Në rast nevoje (përveç nga kryetari) ajo mund të thirret edhe nga 1/3 e anëtarëve
të Kryesisë së degës së NISMA-së .
4. Mbledhjen e kryesisë e drejton Kryetari i degës, në mungesë të tij sekretari i degës, në
mungesë të sekretarit anëtari më i moshuar i kryesisë.
5. Kryesia e Degës së NISMA-së ka për detyrë të:
a) organizon, koordinon dhe drejton veprimtarinë e përgjithshme të NISMA-së në
degën përkatëse;
b) organizon, koordinon dhe drejton fushatat elektorale për zgjedhjet në NISMA,
për zgjedhjet në nivel komunal dhe zgjedhjet e përgjithshme, në përputhje me
kompetencat që i jepen nga statuti dhe vendimet e forumeve të NISMA-së;
c) përfaqëson NISMA-në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera,
organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror, në
përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të NISMA-së, në
territorin e Komunës përkatëse;
d) miraton ndarjen e mjeteve materiale e financiare në Komunën përkatëse;
e) thërret mbledhjen e Këshillit të NISMA-së në Komunë;
f) krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të NISMA-së
në nivel Komune;
g) kontrollon mbledhjen e anëtarësisë dhe përdorimin e fondeve nga strukturat e
NISMA-së në komunën përkatëse;
h) raporton në mënyrë të rregullt në Kryesinë qendrore të NISMA-së për aktivitetin
e NISMA-së në territorin administrativ të komunës përkatëse.

Neni 15
Kryetari i Degës së NISMA-së

1. Kryetari i degës zgjidhet nga Këshilli i Degës, për një periudhë katër vjeçare.
2. Rregullat për kandidim për kryetar të degës përcaktohen nga Këshilli Kombëtar i
NISMA-së.
3. Kryetari i NISMA-së në degë:
a) drejton veprimtarinë e NISMA-së në territorin e komunës përkatëse;
b) thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë së Degës;
c) nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Kryesia e Degës;
d) drejton fushatat zgjedhore të NISMA-së në nivel komune, në rastet e zgjedhjeve
të përgjithshme dhe atyre komunale.

Neni16
Kuvendi i NISMA-së për Kosovën

1. Kuvendi është forumi më i lartë vendimmarrës i NISMA-së i cili përbëhet nga delegatët.
Kuvendi i NISMA-së mund të jetë Kuvend Pune dhe Kuvend Zgjedhor.
2. Kuvendi zgjedhor mblidhet një herë në katër vite.
3. Kuvendi zgjedhor mblidhet me vendim të Këshillit Kombëtar ose me kërkesë të 1/3 të
anëtarëve të Kuvendit. Kuvendi punës mblidhet me vendim të kryesisë.
4. Konstituimi dhe drejtimi i kuvendit bëhet sipas rregullores së punës së Kuvendit.
5. Kuvendi Kombëtar i zhvillon punimet në bazë të rregullores së saj e cila hartohet nga
Këshilli Kombëtar dhe miratohet nga Kuvendi i NISMA-së.
6. Kuvendi ka për detyrë të:
a) miraton Programin dhe Statutin.
b) zgjedh anëtarët e Këshillit Kombëtar për një periudhë katër vjeçare.
c) miraton dokumente të tjera, siç janë rezolutat, deklaratat etj.
d) shqyrton dhe miraton raportin për punën e partisë ndërmjet dy kongreseve.
e) shqyrton dhe sjell akte dhe dokumente të tjera dhe kryen punë tjera, të nevojshme
për partinë.
7. Numri i delegatëve të Kuvendit zgjedhor caktohet me rregullore të veçantë.
8. Kuvendi zgjedhor përbëhet nga:
a) Delegatët e zgjedhur nga degët,
b) Anëtarët e Kryesisë së NISMA-së,
c) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të NISMA-së,
d) Ministrat dhe Zëvendës Ministrat nga radhët e NISMA-së,
e) Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e NISMA-së,
f) Kryesia e Rinisë dhe e Gruas në nivel qendror,

Neni 17
Kuvendi i jashtëzakonshëm i NISMA për Kosovën

1. Kuvendi i jashtëzakonshëm mund të thirret sipas nevojës nga Këshilli Kombëtar me
kërkesën e 2/3 të anëtarëve të vet;
2. Me kërkesën e Kryesisë së NISMA- së;

Neni 17
Këshilli Kombëtar i NISMA-së

1. Drejtimi politik dhe organizativ i NISMA-së në nivel kombëtar midis dy kuvendeve
realizohet nëpërmjet Këshillit Kombëtar.
2. Këshilli Kombëtar i ka 101 anëtarë.
3. Kryetari i Këshillit Kombëtar zgjidhet nga anëtarët e Këshillit Komb՞tar me propozim
të Kryetarit të NISMA-s për një periudhë katër vjeçare.
4. Zgjedhja e këshillit kombëtar bëhet në bazë të dy kritereve, kriterit të përfaqësimit
dhe kriterit kadrovik, profesional dhe interesit të fuqizimit dhe të shtrirjes së
NISMA-së që i propozohet kuvendit nga Kryetari i NISMA-së.
5. Anëtarë të Këshillit Kombëtar sipas kriterit të përfaqësimit janë: Kryetari i NISMA,
Kryetarët e Degëve, Kryetarja e gruas, Kryetari i rinisë, Deputetët e NISMA-së në
Kuvendin e Kosovës, Ministrat dhe Zëvendës Ministrat, dhe Kryetarët dhe
nënkryetarët e Komunave nga radhët e NISMA-së. Plotësimi i pjesës së mbetur të
anëtarëve bëhet sipas kriterit të dytë dhe anëtarët propozohen nga Kryetari i
NISMA, e të cilët miratohen nga Kuvendi.
6. Në rast se mandati i anëtarit të Këshillit Kombëtar ndërpritet përpara kohe
zëvendësimi i vendit vakant bëhet në bazë të kritereve të lartpërmendura.
7. Këshilli Kombëtar ka për detyrë të:
a) miraton kriteret që duhet të plotësojë një anëtar për t’u zgjedhur në forumet e
NISMA-së;
b) miraton kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave për të përfaqësuar NISMA-në në
Organet e Qeverisjes Komunale dhe Qendrore;
c) miraton procedurat e zhvillimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe forumet e
NISMA-së;
d) miraton listën e anëtarësisë së NISMA-së;
e) miraton rregulla mbi procedurat e ankimimit të vendimeve të forumeve të NISMAsë,
llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për
vendimmarrje në Këshillin Ankimor;
f) rikonfirmon ose jo mandatin e drejtuesve të NISMA-së që janë emëruar;
g) miraton rregulla mbi kushtet, mënyrat e kandidimit, të zhvillimit të zgjedhjeve dhe
të përfaqësimit në strukturat e NISMA-së;
h) miraton kandidaturat për deputetë në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme;
i) organizon dhe drejton gjithë veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të
NISMA-së;
j) në rast fitoreje të zgjedhjeve miraton programin e qeverisë;
k) zgjedh Anëtarët e Kryesisë së NISMA-së për një periudhë katër vjeçare;
l) miraton kandidaturat e NISMA-së për në organet e qeverisjes apo në organizmat e
tjera ku kërkohet përfaqësimi i NISMA-së;
m) me kërkesë të Kryesisë së NISMA-së, diskuton dhe miraton programe reformash në
fusha të caktuara;
n) vendos për thirrjen e Kuvendit Zgjedhor;
o) miraton rregullore dhe udhëzime mbi mënyrën dhe praktikën e organizmit,
funksionimit dhe dokumentimit të aktivitetit të NISMA-së;
p) krijon komisione të përhershme apo të përkohshme;
q) miraton rregullat e përdorimit të vulës të NISMA-së;
r) zgjedh anëtarët e këshillit ankimor dhe miraton rregulloren e funksionimit te tij;
s) miraton rregulla mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të NISMA-së;
t) miraton rregulla mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të strukturave të
NISMA-së në të gjitha nivelet;
u) në rast mosfunksionimi, thyerjesh të rënda disiplinore, apo rezultatesh të dobëta në
zgjedhjet e përgjithshme ose vendore, vendos riorganizimin pjesor ose të plotë të
strukturës lokale të NISMA-së;
v) Këshilli Kombëtar ka të drejtë të kooptojë anëtarë në periudhën ndërmjet dy
Kuvendeve.
8. Këshilli Kombëtar e zhvillon veprimtarinë e tij në bazë të rregullores, që hartohet
nga Kryesia dhe miratohet nga Këshilli Kombëtar.
9. Mbledhjet e Këshillit Kombëtar thirren nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, me vendim
të Kryesisë ose me kërkesë të 1/3 e Anëtarëve të Këshillit Kombëtar të NISMËS.
10. Mbledhjet e Këshillit Kombëtar drejtohen nga Kryetari i tij, i cili zgjidhet nga radhët
e Anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
11. Të gjitha kompetencat e Këshillit Kombëtar të përcaktuara në nenin 17 të këtj
statuti drejtohen dhe mbikëqyren nga Kryetari i Këshillit Kombëtar.

Neni 18
Kryesia e zgjeruar

1. Kryesia e zgjeruar (e organizuar vetëm në qendër), është organ gjithëpërfshirës e cila
udhëhiqet nga Kryetari i NISMA-së dhe është përbërë nga kryesia, nga kryetarët e
degëve të NISMA-së, nga kryetari i rinisë dhe kryetarja e gruas;
2. Përfaqëson dhe mbron interesin e degëve dhe strukturave të NISMA-së;
3. Nxjerr rekomandime në fushën e përgjegjësisë së saj me shumicë të thjeshtë votash të
përfaqësuesve të pranishëm;
4. Kryesinë e zgjeruar e thërret dhe e udhëheqë Kryetari i NISMA-së
5. Mblidhet së paku njëherë në muaj.

Neni 19
Kryesia e NISMA-së

1) Kryesia është organ ekzekutiv i zbatimit të politikave dhe vendimeve të Kuvendit dhe
Këshillit Kombëtar.
2) Anëtarë i kryesisë për nga funksioni është edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar.
3) Kryetari i NISMA për Kosovën i propozon Këshillit Kombëtarë për të votuar ekipin e
kryesisë që do të drejtojnë sekretari të fushave të caktuara.
4) Kryesia është përgjegjëse për zbatimin e Programit dhe të Statutit të NISMA-së;
5) Është përgjegjëse për organizimin e fushatës zgjedhore, organizimin dhe zgjerimin e
anëtarësisë dhe grumbullimin e fondeve në dobi të partisë;
6) Ndarjen e përgjegjësive të anëtarëve të Kryesisë e bënë Kryetari, i cili edhe e udhëheqë
punën e këtij organi ekzekutiv;
7) Kryesia e NISMA-së përbëhet nga një numër tek anëtarësh, duke përfshirë Kryetarin
dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar.
8) Anëtarët e Kryesisë i propozohen Këshillit Kombëtar për miratim, nga Kryetari i
NISMA-së për një periudhë katër vjeçare.
9) Kryesia e NISMA-së ka për detyrë të:
a) përfaqëson NISMA-në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë tjera,
organizatat politike, shoqërinë civile, grupimet tjera shoqërore, në përputhje me
parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të NISMA-së;
b) propozon buxhetin vjetor të NISMA-së , të cilin e miraton Këshilli Kombëtar;
c) kontrollon dhe përgjigjet për veprimtarinë ekonomike dhe financiare të NISMAsë;
d) nxjerr rregullore e udhëzime në përputhje me kompetencat që i jepen me këtë
statut apo me vendim të Këshillit Kombëtar;
e) i propozon Këshillit Kombëtar listën për deputet, kryetar komunash,ministra etj.
f ) Zgjedh Shefin e Shtabit Qendror Zgjedhor.
10) Funksionimi dhe organizimi i punës së kryesisë bëhet me rregullore të veçantë të saj.

Neni 19
Kryetari i NISMA-së

1. Kryetari është drejtuesi politik i NISMA-së.
2. Kryetari i NSIMA për Kosovë zgjidhet nga anëtarësia e NISMA-së, sipas parimit:
“një anëtarë-një votë”, për një periudhë katër vjeçare.
3. Rregullat e kandidimit për Kryetar të NISMA-së përcaktohen nga Këshilli Kombëtar,
4. Kandidatëve për Kryetar të NISMA-së u krijohen kushte të barabarta
infrastrukturore, financiare dhe hapësira në shtypin apo në publikimet e NISMA.
5. Procedura e zgjedhjeve për Kryetar, mënyra e paraqitjes së programeve nga
kandidatët, mënyra e zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjen e kryetarit të
NISMA-së, miratohet me vendim të Kuvendit të NISMA-së.
6. Kryetari i NISMA-së ka për detyrë të:
a) Drejton dhe koordinon veprimtarinë politike dhe organizative të partisë dhe
përfaqëson partinë brenda dhe jashtë vendit.
b) Propozon Kuvendit anëtarët për Këshill Kombëtar.
c) Propozon përbërjen e Kryesisë së NISMA-së, të cilën e aprovon Këshilli Kombëtar.
d) Koordinon dhe udhëheq punën e Kryesisë.
e) Kryetari i thërret dhe udhëheqë mbledhjet dhe propozon rendin e ditës. Thirrja e
mbledhjes së rregullt bëhet përmes sekretarisë.
f) Hap mbledhjen dhe udhëheqë me punën e saj sipas rendit të ditës dhe kujdeset për
mbarëvajtjen e saj.
g) Nënshkruan të gjitha aktet që dalin nga mbledhjet e kryesisë.
h) Propozon përbërjen e delegacioneve të NISMA-s për takime të ndryshme.
i) Propozon krijimin e komisioneve apo grupeve punuese për çështje të ndryshme.
j) Nënshkruan aktet e miratuara nga Kryesia e NISMA-s.
k) Kujdeset për zbatimin e vendimeve të Kuvendit, të Këshillit Kombëtar dhe të
Kryesisë së NISMA-s.
l) Kryen punë të tjera të parapara me dokumentet bazë të NISMA-së.
m) Emëron personelin administrativ të NISMA-së.
n) Në rast të dorëheqjes, pamundësisë fizike apo vdekjes, Kryetarin e zëvendëson deri
në Kuvendin e radhës Kryetari i Këshillit Kombëtar.

Neni 21
Marrja e Vendimeve

1. Në forumet e NISMA-së vendimet merren vetëm pas debatit e ballafaqimit të lirë të
mendimeve.
2. Vendimet në forumet e NISMA-së merren me konsensus dhe në mungesë të
konsensusit me votim.
3. Vendimet që kanë të bëjnë me individët, me normat e Statutit dhe të Programit, apo
kur kërkohet nga 1/3 e Anëtarëve të forumit të NISMA-së që merr vendimin, merren
gjithnjë me votim të fshehtë.
4. Vendimi i miratuar nga shumica e pjesëmarrësve në votim është i detyrueshëm për
t’u zbatuar nga të gjithë ata të cilëve ky vendim u drejtohet.
5. Vendimet e forumeve publikohen në organet e informimit të NISMA-së apo në
buletinet e saj periodike informative.

Neni 22
Këshilli për Ankesa

1. Vendimet që merren nga forumet e NISMA-së mund të ankimohen në Këshillin për
ankesa.
2. Këshilli për Ankesa përbëhet nga pesë anëtarë: Kryesuesi, Zëvendësi dhe tre
anëtarë.
3. Anëtarët e Këshillit për Ankesa zgjidhen nga Këshilli Kombëtar nëpërmjet një
procedure konkurrimi me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë, për një
periudhë katër vjeçare. Mandati i Anëtarëve të Këshillit për Ankesa mbaron vetëm
me konstituimin e Këshillit për Ankesa pasardhës.
4. Anëtarët e Këshillit për Ankesa nuk mund të zgjidhen në asnjë forum drejtues të
NISMA-së.
5. Të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të marra nga forumet e NISMA-së e kanë të
gjithë Anëtarët apo forumet e saj. Në Këshillin për Ankesa nuk mund të ankimohen
vetëm vendimet e Kuvendit.
6. Vendimet e Këshillit për Ankesa janë të detyrueshme për zbatim.
7. Rregulla të hollësishme të ankimimit të vendimeve të forumeve të NISMA-së, llojet e
vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për
vendimmarrje në Këshillin për Ankesa, sanksionohen në rregulloren e Këshillit për
Ankesa të cilën e miraton Këshilli Kombëtar.

Neni 23
Rikonfirmimi i Mandateve

1. Të gjithë funksionarët e NISMA-së, të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga
anëtarësia apo të zgjedhur nga Forumet, mund t’i nënshtrohen procedurës së
rikonfirmimit të mandatit.
2. Procedura e rikonfirmimit të mandatit të funksionarit të NISMA-së të zgjedhur nga
anëtarësia apo Forumet e NISMA-së, fillon me kërkesën me shkrim e të paktën 1/3 e
trupës zgjedhore të të zgjedhurit nga anëtarësia, ose 1/3 e anëtarëve të Forumit që
ka bërë zgjedhjen.
3. Rikonfirmimi i mandatit në çdo rast zhvillohet me të njëjtën procedurë të zgjedhjes
të funksionarit të NISMA-së që i nënshtrohet rikonfirmimit të mandatit.
4. Rregulla të hollësishme mbi procedurën e rikonfirmimit të mandatit miratohen nga
Këshilli Kombëtar.

Neni 24
Burimet Financiare e Materiale dhe Përdorimi i Tyre

1. Burimet financiare të NISMA-së janë:
a) të ardhurat nga kuotizacionet;
b) të ardhurat nga buxheti i shtetit në përputhje me legjislacionin për
financimin e partive politike;
c) ndihmat dhe dhuratat të Anëtarëve e përkrahësve të NISMA-së;
d) ndihmat dhe dhuratat e organizatave partnere;
e) çdo e ardhur tjetër që nuk bie në kundërshtim me legjislacionin për
financimin e partive politike.
2. Veprimtaria financiare dhe ekonomike e NISMA-së drejtohet nga Kryesia NISMA-së, e
cila miraton edhe buxhetin e NISMA-së për vitin pasardhës.
3. Aktiviteti financiar dhe ekonomik i NISMA-së mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme
nga Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-së.
4. Një herë në vit, në mbledhjet e Këshilli Kombëtar, Kryesia paraqet një raport në lidhje
me aktivitetin financiar dhe ekonomik të NISMA-së.
5. Rregulla të hollësishme mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të NISMA-së miratohen
nga Këshilli Kombëtar.

Neni 25
Shpërbërja e NISMA për Kosovën

NISMA për Kosovë mund të shpërbëhet në këto raste:
1. Nëse vendosin 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në mbledhjen e rregullt apo të
jashtëzakonshëm;
2. Me rastin e shpërbërjes, për pasurinë e NISMA së vendosë Kuvendi i NISMA-së. Në asnjë
mënyrë pasuria nuk mund të shpërndahet apo tjetërsohet në individë.

Neni 26
Amandamentimi i statutit

1. Amendamentimi i Statutit mund të bëhet nga Kuvendi zgjedhor i NISMA-së me
shumicën e votave të delegatëve ose në mes të dy Kuvendeve nga Këshilli
Kombëtar me 2/3 e votave të tij.
2. Propozues të amendamenteve në Statut janë:
a) Kryetari,
b) Kryesia,
c) Këshilli Kombëtar,
d) 1/3 e delegatëve të kuvendit.

Neni 26
Hyrja në fuqi

1. I miratuar në Kuvendin e I-rë zgjedhor në Prishtinë, me 25. 06. 2016

Fatmir LIMAJ
Kryetar